PS: Të ndaluarit u dhunuan

25/01/2011 17:30

Partia Socialiste ka denoncuar atë që deputetja Eglantina Gjermeni e cilësoi si dhunë të paprecedentë të policisë ndaj demonstruesve, qoftë në bulevardin “Dëshmorët e kombit”, qoftë në komisariatet ku janë mbajtur të ndaluar për disa ditë.

“Të gjithë kemi qenë dëshmitarë që kemi parë tre njerëz që janë vrarë nga Garda e Republikës, njerëz të cilët nuk po bënin asgjë, nuk kishin asgjë në dorë dhe për më tepër nuk kishin thyer apo dhunuar institucionet. Ndërkohë që mbrëmë kemi parë që është dhunuar zoti Fiqiri Xibri, kryetar i sindikatave, edhe sot ai gjendet në spital për shkak të dhunës që ka pësuar”, është shprehur Gjermeni.

Arben Kacorri, një prej të ndaluarve tregon se mbi të, por edhe të tjerët, është ushtruar dhunë dhe presion.

“Komisariati numër 1, dhunë e paparë dhe sidomos kur dëgjonin ndonjë emër që jemi nga jugu. Me civilë dhe punonjës policie, na kthenin me shpinë pas murit dhe na godisnin nga pas kokë. Të gjithë janë torturuar dhe ata që janë ende në birruca do dalin dhe do ta shihni çfarë torturash u kanë bërë. Më kanë hequr zvarrë për 50 metra para Kryeministrisë, e kam dorën komplet të ndrydhur dhe syrin siç e shihni”, thotë Kacorri.

Një tjetër e ndaluar nga forcat e rendit, Lindita Balavia, nënë e pesë fëmijëve tregon momentet e kaluara në komisariate, ku, sipas saj, mbi femrat është ushtruar dhunë edhe më e madhe se tek meshkujt.

“Unë jam nëna e pesë fëmijëve, më kanë torturuar barbarisht aty në protestë. Aty më ka tërhequr zvarrë policia. Këmba është e nxirrë. Më kanë ofenduar, ka pasur sharje, fyerje, çfarë s’më kanë bërë”, shprehet Lindita Balavia.

Por pavarësisht pohimeve të tyre për momentet e vështira të kaluara pas demonstratës së të premtes së shkuar dhe dhunës e presioneve të uniformave blu, ata deklarojnë se do të jenë gjithsesi pjesë e demonstratës së 28 janarit.

Top Channel