Matvej Lemonosov, rusi me dy atdhe

25/01/2011 19:15

Matvej Lemonosov, një student rus që ka shndërruar Shqipërinë në një atdhe të dytë që prej një viti e gjysmë, u vendos në qendër të fokusit të emisionit të pasdites në Top Channel.

Studimet në Fakultetin Filologjik dhe historia e popullit shqiptar janë ato që e bënë 25-vjeçarin, banues në Qytetin e Studentëve, të dashuronte vendin tonë.

”Së fundmi, kur ndodhesha ende në Rusi, u morra me studimin e mitologjive ballkanike. Në atë kohë, rasti më i nxehtë në debate ishte ai i Kosovës dhe u morra saktësisht me zbulimin e mitologjisë kombëtare në hapësirën e Kosovës”, thotë Lemonosov.

I diplomuar për historinë e sllavëve të Ballkanit, mbase kanë qenë kontaktet e tyre ndër shekujt me një kulturë të vjetër e të rrallë si ajo e popullit shqiptar, ajo që shtyu rusin të mësonte edhe anën tjetër të medaljes.

Në studimet për ish-Jugosllavinë, Matvej mësoi për herë të parë rreth popullit shqiptar në Kosovë. “Kontatet e para me Shqipërinë i morra që në kohën e shkollës. Ato ishin njohuri të mangëta. Më pas, erdha në fakultet”, vazhdon 25-vjeçari i lundur në Perm, pranë Uraleve.

”Fokusi ynë ishte historia e sllavëve në Ballkan. Brenda këtij fokusi, gjithsesi arritëm të mësonim shumë gjëra edhe për historinë e popujve fqinj, si përshembull për Hungarinë apo Shqipërinë”.

Pavarësisht dëshirës së madhe për të studiuar historinë e popullit shqiptar, Matvej ndeshi në problemin e gjuhës shqipe. Ai mori pjesë në disa shkolla verore dhe kurse të gjuhës tonë, i bindur se nuk do të arrinte të depërtonte kurrë në thellësitë e historisë pa ndërmarrë këtë hap.

”Gjuha shqipe nuk futet në asnjë degë të familjes indo-europiane. Megjithatë, mbetet në këtë kategori, edhe pse është e vetmuar”, vazhdon Matvej, i cili ka informacione të shumta edhe mbi  momentet kyçe të historisë së Shqipërisë.

”Figura e Skëndërbeut përmendet në Rusi në librat për historinë e Ballkanit dhe atë të sllavëve. Aty shkruhet se Skëndërbeu ishte aleat me sllavët dhe shpëtoi Europën nga turqit për një kohë mjaft të gjatë”.

Vite më parë, studentët rusë në Shqipëri ishin të shumtë, por sot, Matvej është i vetmi i mbetur prej tyre. Ai u dallua shumë shpejt në universitet, sidomos për zotërimin e shkëlqyer të gjuhës shqipe.

Profesorja Eva Hyskaj ka marrë përsipër të udhëheqë temën e diplomës së masterit për Matvejn. “Veçantia e tij është që flet shumë mirë shqip dhe është shumë i interesuar për konfliktet etnike, për krijimin e miteve, në këtë rajon të Ballkanit dhe më gjerë”, thotë Hyskaj.

Jeta në kryeqytetin e një vendi të panjohur nuk ka qenë e lehtë për studentin rus. Edhe pse shumicën e kohës e kalon duke studiuar, Matvej nuk lë pa frekuentuar lokalet e natës.

Ai e shikon Tiranën si një qytet të paorganizuar dhe me një trafik tepër të rënduar, megjithatë ka edhe anë pozitive që ai çmon. “Së pari, është kryeqytet. Të ofron çdo gjë. Të ofron institucionet, bibliotekat, ambasadat, lokale të ndryshme, disko, klube dhe para, por nga ana tjetër nuk është as edhe ndonjë qytet i madh që të shtyp”, theksoi Matvej.

Njohja shumë e mirë e gjuhës shqipe e ka ndihmuar studentin nga Rusia të krijojë shoqëri të gjerë më shqiptarë. Rudina është shoqja e tij e ngushtë dhe studion inxhinieri në Tiranë. Të njohur gjatë një seminari në Prishtinë, Matvej dhe studentja shqiptare e ruajtën miqësinë e tyre edhe më vonë.

”Ai është shumë i zgjuar dhe inteligjent. Bën shumë humor. Ai është një njeri që të njeh dhe më pas vendos nëse do të të bëjë ose jo shok të ngushtë”, thotë Rudina.

Megjithëse është përshtatur shumë mirë në vendin tonë, malli për Rusinë është i pashmangshëm, edhe pse ai nuk e hedh poshtë mundësinë që të jetojë në Shqipëri edhe pas përfundimit të studimeve.

”Nga Rusia më mungon shoqëria ime e vjetër apo prindërit, të cilët gjithmonë më kanë mbështetur”, përfundon Lemonosovi.

Top Channel