Majko: Berisha të mos keqpërdorë FA

25/01/2011 13:15

Deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko ka deklaruar se kryeministri Berisha nuk duhet t’i keqpërdorë Forcat e Armatosura të vendit.

Në një bashkëbisedim me gazetarët, Majko është shprehur se implikimi i institucioneve ushtarake në qëndrime politike është një veprim i gabuar.

“Kërkesa e Berishës për të orjentuar një orjentim politik të FA është një vendim i gabuar. Mendoj se me FA, një nga institucionet me të cilat shqiptarët mund të krenohen, na takon të gjithëve të mbrojmë këtë aset dhe jo ta keqpërdorim. Është normale që kryeministri të takohet me krerët e gardës dhe policisë, por cilidoqoftë pozicioni politik i kryeministrit, është anti-kushtetuese të implikojë FA në qëndrimet e tij politike”, ka deklaruar Majko.

Ish-ministri i Mbrojtjes ka theksuar se nga një keqpërdorim i tillë Shqipëria e ka pësuar në të kaluarën dhe për të shmangur degradimin e situatës ka bërë thirrje për analizimin e saj me gjakftohtësi.

“Shqipëria ka kaluar eksperienca të hidhura kur ushtria është keqpërdorur dhe sot në krye të Ministrisë së Mbrojtjes është shembulli më i keq. Ajo që po ndodh sot në Shqipëri kërkon gjakftohtësi, komunikim dhe një zgjidhje për qytetarët shqiptarë”, ka pohuar Majko.

“Ftoj presidentin e Republikës që të ndërhyjë. Nëse do të kishim një puc, kryeministri duhet të kishte mbledhur Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Por kryeministri po ecën në një rrugë të gabuar, që për fat të keq e ka bërë njëherë”, ka shtuar ai.

Top Channel