Idrizi: Raporti, i fabrikuar nga Rusia

25/01/2011 11:10

Deputeti shqiptar, Shpëtim Idrizi gjatë fjalës së tij në Asamblenë Parlamentare të KiE ka hedhur poshtë raportin e Dick Marty mbi trafikimin e organeve.

Duke e cilësuar raportin si një regji ruse, Idrizi ka ftuar senatorin zviceran që të publikojë dëshmitë e tij.

“Sot është një tjetër raport, i iniciuar nga Rusia, i mbështetur nga Serbia, me qëllim që të sulmojë BE-në, SHBA, UCK-në dhe Hashim Thacin. Raporti juaj nuk mund të gjejë asnjë të vdekur që i janë marrë organet. Ju ftoj të publikoni intervistat që janë bërë”, ka deklaruar Idrizi.

Ai ka theksuar se ky raport është një vazhdim i politikës së Sllobodan Milloshevic, për të barazuar viktimat me kriminelët e lustës.

“Organet nuk mund të vihen nga një trup në tjetrin. Ky raport është plot të pavërteta dhe në të shihet se kriminelët janë bërë baraz me viktimat. Milloshevici i ka përdorur këto fabrika për të fabrikuar këto të pavërteta dhe për të barazuar kriminelët me viktimat”, ka pohuar Idrizi.

Ai ka shtuar më tej se kryerja e aktiviteteve kriminale që pretendohen në raportin e Dick Marty ka qenë e pamundur, pasi Kosova prej një dekade ndodhet nën mbikëqyrjen e ndërkombëtarëve.

“Prej vitit 1999 Kosova është shteti më i monitoruar nga UNMIK dhe EULEX dhe nëse këto krime janë bërë duhet të ishin zbuluar. Të bëhen hetimet dhe të bëhen provat publike”, ka shtuar Idrizi.

Top Channel