Bode: Në 2010, më shumë të ardhura

25/01/2011 13:35

Ministri i Financave, Ridvan Bode, në një konferencë për shtyp ka bërë një bilanc të gjendjes ekonomike të vendit për vitin që lamë pas.

Gjatë fjalës së tij Bode e ka vënë theksin tek rënia e inflacionit dhe tek zhvillimet, sipas tij, pozitive të sektorit financiar.

“Inflacioni është 3.6 për qind si bazë vjetore krahasuar me vitin 2009. Sektori financiar ka pasur zhvillime pozitive. Rritja e besimit të qytetarëve tek kontrolli financiar ka pasur ndikime të mira”, ka deklaruar Bode.

Sipas tij, një tjetër tregues pozitiv është rritja e ndjeshme e kredisë për koorporatat, ndërsa ajo për konsumatorët ka qenë më e vakët.

“Niveli i kredisë gjatë vitit 2010 ka qenë 9.12 për qind më i lartë se në vitin 2009. Ajo që mbetet për t’u theksuar është se është rritur në mënyrë më të ndjeshme kredia për koorporatat. Ndërsa kredia për konsumatorët ka pasur një rritje të moderuar prej 4%”, ka saktësuar Bode.

Kreu i Financave ka shtuar më tej se gjatë vitit 2010 janë realizuar më shumë të ardhura se një vit më parë dhe ka nënvizuar se rritja ekonomike për këtë vit të ri do të jetë e konsiderueshme.

“Kemi realizuar 9% më shumë të ardhura se në 2009, që flet për një trend pozitiv. Ndërsa për vitin 2011 kemi programuar një rritje prej 5.5% të GDP-së”, ka shtuar Bode.

Top Channel