Berisha: Nuk do lejoj vazhdimin e pucit

25/01/2011 12:35

Kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar një takim me gjeneralët e Forcave të Armatosura në selinë e Ministrisë së Mbrojtjes, me të cilët ka diskutuar për protestën e 21 janarit.

Gjatë takimit Berisha ka vlerësuar se grupe kriminale ishin organizuar me qëllim marrjen me dhunë të selisë së kryeministrisë.

“Për pesë orë kryeministri i ligjshëm u rrethua nga grupe kriminelësh. Shumë demonstrues ishin të armatosur me armë të sofistikuara. Plani për të sulmuar kryeministrinë ishte i detajuar. Ishin planifikuar kamionë për të rrëzuar portat e kryeministrisë”, ka deklaruar Berisha.

Duke bërë bilancin e viktimave dhe të të plagosurve, kreu i qeverisë është shprehur se ndaj forcave të sigurisë u ushtrua dhunë barbare nga elementë të inkriminuar.

“Kishte tre viktima, 81 anëtarë të gardës të plagosur dhe 27 policë. Nuk mendoja se ndaj tyre mund të shpërthente një rrymë barbare sic e pamë të gjithë. Në demonstratë kishte elementë të paguar, të inkriminuar dhe të droguar”, ka pohuar Berisha.

Më tej, duke cilësuar si të pabazë urdhër-arrestet e prokurorisë ndaj komandantëve të gardës, kryeministri ka theksuar se qeveria e tij do të mbështesë cdo hetim ligjor.

“Gardistët veprojnë në bazë të rregullores. Ata mund të kenë qëlluar me plumba gome, apo me plumba realë, por këtë e përcakton hetimi. Garantoj se nga punonjësit e gardës, secili do të jetë disponibël. Ndonëse ne kemi prova të forta se cfarë ndodhi në këtë proces, do të veprojmë në mënyrë ligjore”, ka theksuar Berisha.

Berisha ka shtuar më tej se do vazhdojë të mbrojë institucionet, duke theksuar se nuk do të lejojë vazhdimin e “pucit”.

“Jemi një vend anëtar i NATO-s dhe institucionet nuk do t’i marrë askush nga brenda. Unë nuk mund të pranoj vazhdimin e pucit”, ka thënë Berisha.

Top Channel