Avokati i Popullit: Të ndaluarit janë dhunuar

25/01/2011 17:45

Avokati i Popullit ka monitoruar nga afër trajtimin e të arrestuarve gjatë demonstratës së 21 janarit, të cilët ndodhen nëpër komisariatet e policisë në Tiranë.

Në drejtorinë e policisë ku në momentin e monitorimit kanë qenë 18 të arrestuar, është ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike nga punonjësit e policisë në momentin e shoqërimit, madje dy prej tyre kanë pasur shenja të dukshme dhune në pjesë të ndryshme të trupit.

Të arrestuarit janë shprehur se janë detyruar me dhunë të firmosnin proçesverbalet e arrestimit të tyre.

Ndërkohë Avokati i Popullit ka konstatuar se të arrestuarit qëndrojnë në kushte të papërshtatshme.

Në një dhomë 3 metër katrorë qëndojnë 7 persona, nuk kanë mbulesa dhe kushtet higjeno-sanitare lënë për të dëshiruar.

Në komisariatin numër 3 të drejtorisë së policisë ndodheshin 19 persona të arrestuar, 4 prej të cilëve të mitur.

Gjatë proçesit të marrjes në pyetje të miturit nuk kanë pasur të pranishëm psikologun, ndërkohë që 6 prej të arrestuarve kanë deklaruar se nuk janë lejuar të njoftojnë familjen për vendodhjen.

Të gjitha shkeljet e konstatuara gjatë monitorimit i janë vënë në dijeni ministrit të Drejtësisë dhe ministrit të Brendshëm si dhe drejtorit të përgjithshëm të policisë dhe atij të burgjeve.

Top Channel