Topi: Politika të përmbushë përgjegjësitë

24/01/2011 16:30

Presidenti i Republikës, Bamir Topi iu ka bërë thirrje palëve politike në Shqipëri që të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre.

Pas takimit me kreun e PS Edi Rama, Topi ka deklaruar përmes zëdhënëses së tij Mimoza Kociu, se institucionet e shtetit janë të paprekshme dhe se ngjarjet e 21 janarit i duhen lënë në dorë drejtësisë.

“Aktorët politikë të përmbushin përgjegjësitë duke vënë interesat e vendit mbi gjithcka. Duhet t’i lihet koha e nevojshme funksionimit të shtetit të së drejtës. Institucionet e shtetit dhe punonjësit në detyrë janë të shenjtë dhe të paprekshëm”, ka deklaruar Kociu.

Në emër të kreut të shtetit, zëdhënësja ka theksuar më tej se protesta është një e drejtë legjitime e qytetarëve, por ajo duhet të menaxhohet me përgjegjësi.

“E drejta legjitime për të demonstruar paqësisht duhet administruar me përgjegjësi”, ka shtuar Kociu.

Top Channel