Protestuesit, gjykata liron shumicën

24/01/2011 15:50

Gjykata e Tiranës ka filluar që në mëngjesin e së hënës vlerësimin e masave të sigurisë për të 114 të arrestuarit gjatë protestës së 21 janarit.

Deri në mesdite janë dhënë 34 vlerësime të masave të sigurisë, ku vetëm 3 prej tyre kanë marrë masën e 20 ditëve burg, ndërsa tre të tjerë me 15 ditë burg.

Vlerësimet e sigurisë së protestuesve zhvillohen në të dyja godinat e gjykatës së Tiranës, në atë të Cështjeve Penale, si dhe në atë të Cështjeve Civile.

Prokuroria është duke kërkuar në masë për të gjithë të arrestuarit masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje”, dhe në ndonjë rast sporadik, afatin 20 ditor me burg.

Deputetët socialistë, të cilët janë duke ndjekur këto vlerësime, kanë reaguar duke u shprehur se, prokuroria nuk ka marrë asnjë provë nga policia.

“Prokurorisë s’i është vënë në dispozicion asnjë lloj prove. E kuptoni c’situatë paligjshmërie ka ndodhur? Për 113 të arrestuar nuk u paraqit asnjë raport mjekoligjor për policë të plagosur nga protestuesit”, ka deklaruar Ermonela Felaj.

Ndërsa Sajmir Tahiri akuzoi policinë për montim provash, pasi gjatë dhunës së ushtruar ndaj protestuesve i ka detyruar ata që të nënshkruajnë se kanë marrë para për të marrë pjesë në proteste.

“Policia jo vetëm ka marrë rolin e një gestapoje, por monton edhe provat që i pëlqejnë pushtetit. Është rasti i pandëshkueshmërisë së ministrave që kanë vjedhur qytetarët, që këtë herë është më i kalcifikuar se kurrë”, ka pohuar Tahiri.

Top Channel