Berisha flet në mbledhjen e qeverisë

23/01/2011 17:40

Kryeministri Sali Berisha gjatë fjalës së tij në mbledhjen e qeverisë të nisur rreth orës 17:00, foli për demonstratën e 21 janarit.

Berisha akuzoi edhe njëherë kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama bashkë me Gramoz Rucin dhe Skënder Gjinushin se u përpoqën të marrin pushtetin me dhunë.

Më tej kreu i mazhorancës ripërsëriti qendrimin e tij përsa i përket videos së transmetuar në Top Channel e ku shfaqej ish-zv/kryeministri Ilir Meta me ish-ministrin Dritan Prifti si një montim grotesk. Berisha akuzoi Ramën për këtë montin, sipas tij të turpshëm.

Kryeministri akuzoi kreun e PS-së se shpërndau qindra milionë lekë pagesa për personat që do të qëllonin me gurë ndaj kryeministrit.

“Zgjodhi ditën e Leninit për demonstratën, shpërndau qindra milionë lekë, pagesa për të ardhur në demonstratë, kishte rreth 10 mijë 20 mijë vetë, pagesa për të qëlluar me gurë ishte rreth 200-300 mijë lekë të vjetra. Këto u bënë haptas në sytë publike në të katërta anët”, tha Berisha.

Berisa vlerësoi punë e forcave të rendit dhe të Gardës së Republikës në mbrojtjen e institucioneve. Lidhur me makinën e cila më datë 21 janar u përplas dhunshëm me portat e kryeministrisë, Berisha akuzoi deputetin socialist, Ilir Beqja se kishte marrë një makinë të cilën ua kishte dhënë banditëve për të hapur derën.

“Skenari ishte ky do merrej kryeministria, ndërtesa e parlamentit, e televizionit dhe e ndonjë ministrie, ky ishte skenari i plotë. Dështimi tek kryeministri bëri që skenari të dështojë. Dëshiroj të ftoj qytetarët që këtë ngjarje të shëmtuar, të punojmë së bashku për të rikuperuar një imazh realisht të dëmtuar. Në një vend të NATO-s bëhet përpjekje për të përmbysur me dhunë një qeveri legjitime. Kryetari i opozitës rrethon qeverinë e drejton operacionin për përmbysjen e qeverisë për 5 orë me radhë”, vijoi më tej në fjalën e tij kryeministri.

Top Channel