Të plagosurit e protestës

22/01/2011 21:45

Ky është babai i Artës Dybelit 23 vjeçarit i cili është plagosur me armë zjarri në qafë dhe në shpinë, gjatë demonstratës së të premtes. Ai tregon atë çfarë djali i tij i ka rrëfyer, se si është plagosur.

“Shkoi mbrëmë tek protesta më dy shok të dilnin si gjithë të rinjtë. Tek kullat binjake është qëlluar me dy plumba, një në kokë, një në kurrizë. Plumbi i ka ardhur drejtpërdrejt nga Kryeministria, pasi i ka ardhur nga para dhe i ka dalë nga pas”, thotë ai.

Artesi është një nga 7 personat që janë plagosur me armë zjarri. Ndërkohë që një kat më poshtë në Spitalin Ushtarak, duke luftuar me vdekjen në sallën e reanimacionit, në gjendje koma ndodhet Aleks Nikaj, 35 vjeç, nga Lezha, i cili ka ende në kokë plumbin. Në gjendje të rëndë ndodhet edhe një nga efektivat e policisë.

“Në shërbimin e reanimacionit kemi një punonjës policie, me dëmtime të kokës, me frakturë zhytëse, me hematomë parietale, mbetet në gjendje të rëndë. Kemi edhe një civil me plumb në kokë, mbetet një gjendje e rëndë, gjendje kome cerebrale, me frymëmarrje artifciale dhe vazhdon terapinë intensive në reanimacion”, shprehet mjeku Fitim Marku.

Në Spitalin Ushtarak tashmë po trajtohen gjithsej katër civilë që ndodhen në pavionet e spitalit dhe një në reanimacion, ndërsa vazhdojnë të kurohen dy efektivë të policisë në pavione dhe një në gjendje të rëndë në reanimacion.

Top Channel