Fajon: Dënoj dhunën ndajë njerëzve

22/01/2011 20:50

Eurodeputetja Tanja Fajon reagon sërish për Shqipërinë, duke dënuar përdorimin e armëve ndaj njerëzve të paarmatosur dhe duke bërë thirrje autoriteteve në vend që të gjejnë personat përgjegjës që morrën jetën e tre qytetarëve të thjeshtë, siç shprehet ajo.

“Mjaft kanë vuajtur njerëzit në Shqipëri. Unë u bëj thirrje të gjithë politikanëve të përgjegjshëm t’i japin fund kësaj ere të trishtueshme që po shtyn vendin drejt ngërçit, qorrsokakut dhe protestave politike të tejzgjatura. Të qëllosh me armë zjarri kundër qytetarëve të paarmatosur, në një lufte për pushtet, është e papranueshme e kjo duhet të marrë fund. Në çdo shoqëri, qytetarët kanë të drejtën të ngrihen për atë çfarë ata besojnë se është e drejtë dhe/ose për të treguar pakënaqësinë me situatën aktuale. Jam e bindur se dje, në 21 janar, njerëzit në Tiranë u mblodhën për të shprehur ndjenjën e tyre kundër kësaj situate në vend që po zgjat prej shumë kohësh. Unë dënoj fuqishëm çdo lloj dhune kundër njerëzve të zakonshëm në rrugë, ndërsa ata shprehin vullnetin e tyre. Vdekjet e njerëzve janë një humbje e madhe, për këtë arsye, është detyra jonë njerëzore që të tregojmë dhembshurinë tonë ndaj familjeve e miqve të tyre dhe ka rëndësi shumë të madhe që të gjenden përgjegjësit e këtyre vrasjeve”, është shprehur Fajon.

Eurodeputetja sllovene shpreh në komunikatën për shtyp dhe zhgënjimin e saj ndaj klasës politike shqiptare.

“Udhëheqësit politikë janë të pazotë të mblidhen bashkë për të zgjidhur problemet, duke lënë popullin pa asnjë alternativë, shpresë dhe progres. Politikanët nevojitet që të marrin përsipër përgjegjësitë për veprimet e tyre dhe të fillojnë të dëgjojnë zërin e qytetarëve të tyre. Të gjithë ju meritoni një vend funksional, të drejtë e të ndershëm, por mbi të gjitha ju meritoni paqe e stabilitet”, tha Fajon.

Pas atij të një ditë më parë, ky është reagimi i dytë i eurodeputetes Fajon, për situatën e krijuar gjatë ngjarjeve tragjike të 21 janarit në Shqipëri.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel