Arrestimet, reagon PS

22/01/2011 21:05

Deputeti socialist Taulant Balla në një deklaratë për shtyp ka dalë në mbrojtje të protestuesve që janë ndaluar nga policia duke hedhur poshtë deklarimet e bëra nga ministri Ridvan Bode.

“Turp i madh për një ministër financash që gjen kurajon sot të dalë e të hedhë vrer mbi opozitën shqiptare, ndërkohë që i madh e i vogël pa me sy se si vrasësit e Sali Berishës dhe Lulëzim Bashës ekzekutuan tre protestues, që të tre jashtë territorit të institucioneve, të tre protestues të paqshëm, të tre të paarmatosur e për më shumë pa asgjë në dorë. T’i vijë turp Ridvan Bodes, që pasi vodhi arkën e shtetit në bashkëpunim me Sali Berishën në një prej aferave korruptive që kanë zhytur këtë qeveri, atë të kasave fiskale, del sot në publik e akuzon protestuesit”, është shprehur Balla.

“Turp i madh për këtë qeveri, që nga 113 të ndaluarit, sipas vetë policisë së shtetit, ka arritur të identifikojë vetëm një person me precedent penal, vjedhjen e një celulari kur ishte çilimi. Bilanci tragjik i ditës së djeshme, fatkeqësisht flet më qartë se kushdo. Tre të vdekur, qëlluar me armë zjarri nga efektivat e Sali Berishës e Lulëzim Bashës, dhjetëra protestues të tjerë të plagosur po me armë zjarri dhe asnjë, asnjë efektiv policie i lënduar nga plumba. Për shqiptarët çdo gjë është e qartë. Kush proteston e kush vret. Kush kërkon të drejta e kush i shkel ato. Për shqiptarët është e qartë: Ata janë partia, ne jemi populli”, theksoi Balla.

Top Channel