Tatimet “sulmojnë” llogaritë e biznesit

21/01/2011 08:25

Një fushatë agresive e tatimeve ndaj biznesit ka prekur tashmë edhe financat personale të tyre në banka.

Burime konfidenciale nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve tregojnë për “Shqip” se gjatë vitit 2010 janë lëshuar mbi 25 mijë urdhra bllokimi të llogarive bankare dhe rreth 10 mijë për ngrirjen e pasurive të paluajtshme.

Aksionet po vijojnë edhe në ditët e sotme, ndërsa pritet zgjerim i tyre në disa territore të vendit. Pas aksioneve me gjoba, që kapin vlerën e rreth 4 milionë dollarëve, vetëm për kasat fiskale, tashmë administrata tatimore e ka përqendruar sulmin te llogaritë bankare.

Mësohet se gjendja e vështirë ku ndodhen tatimet me realizimin e planit ka detyruar departamentin operativo-hetimor të lëshojnë me mijëra urdhra për bllokim llogarish bankare ndaj atyre subjekte që nuk kanë paguar taksat.

Të dhënat operative nga administrata tatimore bëjnë të ditur se viti 2010 është mbyllur negativisht, ku vetëm në dhjetor, bilanci del me të paktën minus 700 milionë lekë nga mosrealizimi si duhet i të ardhurave.

Një ditë më parë, gazeta botoi fakte të pranuara nga vetë Ministria e Financave, sipas të cilës, administrata tatimore gjendet në situatë të vështirë dhe arkëtimet rezultojnë në nivelin më të dobët, kryesisht te TVSH-ja, e cila kishte dhënë kontributin kryesor në performancën negative, për periudhën janar-nëntor 2010.

Top Channel