SHBA bën apel për qetësi

21/01/2011 22:30

Shtetet e Bashkuara dënuan dhunën në Shqipëri dhe shprehën keqardhjen për humbjen e jetëve dhe plagosjet gjatë protestave.

“Na vjen keq që demonstrata nuk ishte paqësore dhe që nuk u morën parasysh thirrjet për qetësi që u bënë përpara prostestës”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit P.J.Crowley në konferencën e tij të përditshme për shtyp.

Të enjten, një ditë para protestës ambasada amerikane bëri thirrje që ajo të ishte paqësore dhe konstruktive. Crowley tha sot se u mësua me keqardhje për vdekjet dhe të plagosurit nga përleshjet në Tiranë.

“Përdorimi i retorikës provokuese dhe sugjerimi apo toleranca e çdo lloj dhune i shkakton një dëm të madh popullit të Shqipërisë, i cili meriton më shumë se kaq”, u shpreh zëdhënësi i DASH-it në konferencën për shtyp.

Qëndrimi i shprehur prej tij kishte të njëjtin ton si deklarata e përbashkët e Shteteve të Bashkuara, BE-së dhe OSBE-së në Tiranë, ku shprehej keqardhja që demonstrata nuk ishte paqësore dhe kishte pasur viktima.

Top Channel