Rama: Pas ditës së zisë, demonstrata

21/01/2011 21:20

Kryetari i PS-së, Edi Rama ka deklaruar se opozita nesër do të jetë në ditë zie dhe deklaroi se pas kësaj dite do të vijojnë demonstratat. Ai ka akuzuar kryeministrin Sali Berisha se në deklaratën e sotme për shtyp është shfaqur si një mafioz duke akuzuar opozitën dhe shpifur për kreun e saj.

“Berisha u shfaq si një mafioz, si një puçist dhe jo si një përfaqësues i pushtetit të vjedhur, por të grabitur. Ai akuzoi mua dhe opozitën si përgjëgjës për krimin e sotëm. Ai shpifi edhe kur foli për të vdekurit kur tregoi për ngjarjen e Spitalit Ushtarak. Ai shpifi se isha tek kulla e Fidelit dhe organizoja skenarin kur në fakt isha bashkë me të tjerë në urën e Bulevardit për shkak të sulmit të policisë. Opozita nesër e ka ditë zie. Shqipëria që nuk jeton në oborrin e kusarëve e ka ditë zie. Por para se të nderojmë të rënët, e sigurojë Berishën se do të na ketë sërish përballë. Do të jem në krye të demonstratava që do të fillojnë pas ditës së zisë”, tha Rama.

Mirëpres padinë penale, por i bëj thirrje presidentit dhe prokurores së përgjithshme. Kërkojmë hetimin e ecurisë së ngjarjes për hetuar atë që pamë me sytë tanë, provokimin dhe më pas dhunimin nga një polici e shtetit e keqpërdorur”, theksoi Rama.

“Do ta vazhdojmë betejën pa dhunë, pa armë dhe pa skenare si ky i sotmi që shkaktoi vdekjen e tre personave të pafajshëm. Shqipëria është atdheu ynë dhe në këtë atdhe ne pranojmë të bashkëjetojmë me këdo, por refuzojmë të trajtohemi si një popull që nuk ka liri dhe të drejta. Jo për ta marrë pushtetin me dhunë, por mos të lejojmë që dhuna e pushtetit ta zhysë vendin gjithnjë e më keq”, deklaroi kreu i PS-së.

Top Channel