Ligji i ri i sigurimeve shëndetësore

21/01/2011 01:05

Sistemi i sigurimeve shëndetësore dhe reforma e nisur nga Ministria e Shëndetësisë në këtë sektor, u diskutuan nga mjekë, juristë, e përfaqësues të ministrisë në panelin e Top Show.

Të ftuarit fokusuan debatin e tyre mbi projek/ligjin për sigurimet shëndetësore që është në hartim e sipër e që pritet që shumë shpejt të kalojë në Kuvendin e Shqipërisë.

Drejtori i Përgjithshëm i Politikavë pranë Ministrisë së Shëndetësisë, Pëllumb Pipero mbrojti përparësitë e reformës dhe vlerësoi se në vend mungon kultura për t’u pajisur me sigurim shëndetësor. Ai tha se të gjithë qytetarët që kanë mundësi të paguajnë kontributet për sigurmin shëndetësor, do të detyrohen të paguajnë, por me ndryshimin që atyre do t’u krijohet mundësia të zgjedhin mes shërbimit që ofrojnë qendrat shëndetësore publike dhe ato private. Pipero tha se shteti do të paguajë kontributet për të gjithë ata persona të cilët vërtetojnë se nuk janë në gjendje t’i paguajnë vetë, ndërkohë që për ata qytetarë të cilët nuk kanë mundësi të paguajnë, por as e vërtetojnë dot këtë fakt, do të mohohet shërbimi shëndetësor, me përjashtimin e vetëm, urgjencat.

Ndërkohë, ish-ministri i Shëndetësisë, Leonard Solis dhe drejtori mjekësor në spitalin “Hygeia”, vlerësoi se ligji është mjaft i mirë dhe shprehu nevojën për implementimin e tij, por ai u deklarua skeptik për këtë fakt.

“Ligji është shumë i mirë, por unë jam skeptik pasi reforma shëndetësore është shumë e vështirë. Varet nga disa ministri dhe mund të minohet në cdo moment”, tha Solis.

Përparësitë e reformës në ligjin për sigurimet shëndetësore u vlerësuan edhe nga Drejtoresha e Përgjithshme e ISKSH-së, Elvana Hana.

Top Channel