BE: Kriza politike zgjidhet me dialog

21/01/2011 10:50

Ambasadori hungarez në Tiranë, Sandor Molnari ka deklaruar se vendi i tij, që kryeson presidencën e BE, mbështet pa rezerva zgjerimin e Unionit me vendet e Ballkanit.

“Hungaria ka qenë një mbështetëse e fortë e zgjerimit të BE me vendet e Ballkanit perëndimor. Kjo për arsye se Hungaria ndodhet pranë Ballkanit perëndimor dhe për rrjedhojë siguria në këtë rajon është e rëndësishme”, ka deklaruar Molnari.

Duke paraqitur prioritetet e presidencës hungareze, diplomati është shprehur optimist se vendet e rajonit do të ndërmarrin hapat e duhura.

Ai ka theksuar se e rëndësishme për Shqipërinë është që në vitin 2011 të marrë statusin e vendit kandidat. “Besojmë se vendet e Ballkanit do të bëjnë hapa përpara sa më shpejt të jetë e mundur”, është shprehur Molnari.

Ai ka shtuar se prioritete të tjera gjatë presidencës hungareze do të jenë mbyllja e negociatave të anëtarësimit me Kroacinë, forcimi i ekonomisë evropiane, aspekti social, lufta kundër krimit të organizuar dhe atij kompjuterik.

Më tej, duke komentuar situatën politike në Shqipëri, diplomati hungarez është shprehur se krizat duhet të kalohen me anë të dialogut.

Duke qenë se vendi ndodhet pranë zgjedhjeve lokale, ka thënë ai, palët politike duhet të gjejnë gjuhën e përbashkët në mënyrë që ato të jenë sipas standarteve.

“Ngërci politik zgjidhet përmes dialogut. Kjo ka lidhje edhe me zgjedhjet e ardhshme lokale dhe zgjedhjet e lira e të ndershme janë baza e një demokracie. Jam i bindur se forcat politike shqiptare do bashkëpunojnë dhe se zgjedhjet do të zhvillohen sipas standarteve”, ka nënvizuar Molnari. “Sa për zgjedhjet e parakohshme, për to duhet rënë dakord”, ka shtuar ai.

Top Channel