Tunizi, nis punën qeveria e re e përkohshme

20/01/2011 15:50

Qeveria e re e përkohshme e Tunizisë është duke mbajtur mbledhjen e saj të parë, një javë pas arratisjes nga vendi të presidentit Zine al-Abidine Ben Ali, raportoi gjatë drekës BBC.

Mbledhja u shty pas kërkesës së opozitës për të mos caktuar në kabinet antarë të partisë së ish-presidentit, e quajtur RCD. Një Ministër i kësaj force politike dhe katër të tjerë u tërhoqën nga kabineti menjëherë pas formimit të tij, si rrjedhojë e pjesëmarrjes së RCD-së në jetën politike.

Në qendër të bisedimeve në këtë mbledhje do të jenë masat e marra të sigurisë. Një ditë më parë, autoritetet arrestuan 30 familjarë të Ben Ali-së, në një lëvizje për të qetësuar revoltat popullore në vend.

Megjithatë, protestat vazhdojnë, ndërsa populli kërkon që edhe gjykatësit apo shërbyes të tjerë të rëndësishëm të vendit, të lidhur me ish-presidentin apo partinë e tij, të braktisin vendin.

Top Channel