Fullani: Reformë në drejtësi

20/01/2011 16:15

Edhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani pranon se shërbimet bankare në Shqipëri janë të shtrenjta.

“Kostot e disa produkteve e shërbimeve bankare, përfshirë pagesat e transfertat, mund të jenë me cmime më të ulëta”, ka deklaruar Fullani.

Kjo deklaratë e guvernatorit, e bërë nga Shkodra, vjen në kontestin e një nisme të fundit të qeverisë, e cila paralajmëron taksa ekstra për bankat, për shkak të cmimeve të larta që ato ofrojnë.

Ka qenë kryeministri Berisha, i cili më shumë se një javë më parë bëri një deklaratë të tillë. Por guvernatori, i cili shpjegoi disa nisma të fundit të bankës qendore për të ulur kostot, vëren se përgjegjësia për shërbime të shtrenjta nuk është vetëm e bankave, apo institucionit që ai drejton.

“Në këtë proces duhet që autoritetet, në vecanti drejtësia, të ofrojnë bashkëpunim për ta vlerësuar cështjen e sistemit bankar si cështje të rëndësisë së lartë, prej nga varet stabiliteti i ekonomisë shqiptare. Banka e Shqipërisë iu bën thirrje të gjithë faktorëve që të veprojnë dhe të ndërmarrin një sërë rregullimesh të tjera të natyrës administrativo-burokratike”, ka pohuar Fullani.

Megjithatë, zoti Fullani fut në lojë edhe qytetarin për të qenë të kujdesshëm ndaj shërbimeve bankare. “Klientët të lexojnë me kujdes kushtet e punës, të drejtat dhe detyrimet që kanë bankat dhe duke parë kushtet më të përshtatshme për to, të zgjedhin institucionet me të cilat duan të bashkëpunojnë”, ka shtuar Fullani.

Top Channel