Demonstrata, në rrugë edhe antiterrori

20/01/2011 19:55

Kur kanë mbetur pak orë nga protesta e paralajmëruar e opozitës në Tiranë, policia e kryeqytetit harton një plan masash të detajuar, duke përfshirë përvec policisë së rendit edhe ata të krimeve, rrugorët apo edhe të një sektori që s’ka lidhje me protestat, sikurse është antiterrori.

Nga burime jozyrtare mësohet se nuk do ketë bllokim të rrugëve para protestës, pasi ky bllokim do të bëhet të premten në varësi të vërshimit të njerëzve.

Po ashtu, mësohet se një plan masash i është servirur policisë së Tiranës nga Policia e Shtetit dhe pjesa tjetër është plotësuar nga vetë policia e këtij qarku, si dhe komisariatet.

Mësohet gjithashtu se policia e Tiranës, përvec efektivave të saj ka kërkuar ndihmë dhe do të ketë me shërbime në Tiranë edhe punonjës policie nga rrethet e tjera.

Numri i efektivave që do të shërbejnë për sigurimin e rendit dhe qetësisë publike mbahet sekret, ashtu sikurse edhe plani i masave.

Ministri i Brendshëm Lulzim Basha tha për mediat se, nëse do ketë persona që do cënojnë rendin, ata do të dalin para përgjegjësisë.

“Ky është një vend i lirë dhe qytetarët kanë të drejtë të protestojnë në mënyrë paqësore, ndërsa policia ka për detyrë të garantojë rendin në këtë protestë paqësore. Kush shkel ligjin, do të përballet me forcën e ligjit”, deklaroi Basha.

Top Channel