Zbulimet arkeologjike në Kretë

19/01/2011 12:25

Provat e lundrimit më të hershëm detar në botë kanë zbuluar në Kretë, një grup arkeologësh grekë dhe amerikanë gjatë kërkimeve në zonën Plakia, në jug të ishullit.

Ata kanë gjetur në kanionin e Prevelit vegla të tilla në formë fosile, si sëpata dore dhe hanxharë, që i përkasin epokës paleolitike 130,000 deri në 700.000 vjet më parë.

Sipas arkeologëve, përderisa Kreta ka qenë për më se 5 milion vjet ishull, ato janë sjellë aty nëpërmjet detit, çka tregon se njerëzit prehistorikë kishin aftësinë për të udhëtuar me anije shumë më herët nga ç’ mendohej deri tani.

“Këto vegla supozohet që nuk duhet të ishin atje, sepse Kreta ishte gjithmonë një ishull, jo i lidhur me kontinentin, kështu që njerëzit në një farë mënyre kanë udhëtuar drejt saj me anije, diçka krejtësisht e papritur për shkak të epokës kaq të hershme”, u shpreh arkeologia Eleni Panagopoulou.

Në rastin konkret, veglat e gjetura i përkasin civilizimeve të Homo Erektus dhe Homo Heidelbergensis të periudhës paleolitike të ulët, fakt që dëshmon se njerëzit kanë banuar në këtë ishull para periudhës së neolitit. Në bazë të fakteve të reja, detaria ka ekzistuar dhjetëra mijë vite më parë se sa njihnim deri tani, kur prova e udhëtimit më të vjetër detar ka datuar rreth 60000 vjet më parë, me itenerar nga Indonezia në Australi, nga njeriu i sotëm, homosapiens.

“Ky është një udhëtim shumë shumë më i vjetër, një udhëtim detar dhe ne kurrë nuk kemi dyshuar se njerëzit kishin kapacitetete teknologjike dhe njohëse për të organizuar udhëtime te tilla”, shtoi Panagopoulou.

Zbulimi në fjalë është regjistruar si një nga 10 evenimentet kryesore arkeologjike në revistën amerikane «Αrchaeology» të vitit 2010.

Top Channel