Tunizi, fillojnë protestat

19/01/2011 10:05

Qeveria e re tuniziane u krijua vetëm dy ditë më parë, por rrezikon që tani kolapsin. Kabineti i saporformuar nuk e bind shumë popullin e Tunizisë dhe rrezikon të ndalet që në start.

Policia ndërhyri në Avenue Bourghiba, në qendër të Tunizit për të shpërndarë një tubim masiv të organizuar kundër qeverisë së unitetit kombëtar.

Forcat e sigurisë përdorën gazin lotsjellës dhe shkopinjtë e gomës kunder protestuesve, të cilët kërkojnë përjashtimin e ministrave të ekzekutivit të mëparshëm, që kanë lidhje me presidentin e përmbysur Ben Ali.

Zemërimi drejtohet më së shumti kundër partisë në pushtet, RCD. Për herë të parë që nga pavarësia e vendit në 1956-tën, një kabinet qeveritar përfshin edhe opozitën.

Por kryeministri Mohammed Ghannouchi u ka dhënë portofole kyçe aleatëve të presidentit të rrëzuar Ben Ali, çka shkaktoi pakënaqësi mes njerëzve.

Protesta të reja u raportuan edhe në pjesë të tjera të vendit, pikërisht aty ku revolta do të niste në muajin dhjetor pasi një 26 vjeçar i vuri flakën vetes.

Qeveria e bashkimit kombëtar u godit sot nga katër dorëheqje dhe të gjithë zyrtarët e larguar kishin lidhje të forta me lëvizjen e sindikatave.

Këto të fundit kanë vendosur të mos e njohin qeverinë e re, një lëvizje sipas tyre, reflekton vullnetin e njerëzve nëpër rrugë.

Në përpjekje për të qetësuar turmat, presidenti i përkohshëm Foued Mebaza dhe kryeministri Ghanucci u larguan nga partia RCD, ndërsa kjo e fundit vendosi nga ana tjetër të përjashtojë nga radhet e veta ish kreun e shtetit, Ben Ali.

Top Channel