PS, ftesa për demonstratën

19/01/2011 15:45

Deputetë të Partisë Socialiste, përfaqësues të shoqërisë civile dhe organizatave të ndryshme joqeveritare kanë dalë sot derë më derë me një ftesë për të thirrur në demonstratë më 21 janar të gjithë qytetarët. (UPDATE)

Përvec orarit dhe vendit ku do të zhvillohet protesta, ftesa mban në krye në njërën anë foton e kryeministrit Sali Berisha dhe ish-ministrit të Jashtëm Ilir Meta, jo pa qëlllim sipas organizatorëve, të dy duke buzëqeshur.

Në anen tjetër, në krye të ftesës është vendosur shifra 5 miliardë euro përqindje nga favoret dhe ryshfetet dhe më pas rreshtohen ministrat dhe aferat e tyre korruptive që ka denoncuar prej kohësh Partia Socialiste.

“Bashkë me ju për të luftuar më datë 21 kundër gjithë padrejtësive që iu bëhen qytetarëve dhe që ju i ndjeni në familjet tuaja. Duhet që qytetarët të marrin në dorë fatet e veta. Duhet një protestë vetëm për popullin”, ka deklaruar Lindita Nikolla, kryetare e minibashkisë numër 1, gjatë bisedave me qytetarët.

Demonstrata paralajmëruese e opozitës do të zhvillohet në orën 14, ditën e premte, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Ashtu sikurse është bërë me dije nga organizatorët, kjo demonstratë do të jetë ndryshe nga herët e tjera pasi nuk do të ketë as podium, as folës.

“Ju ftojmë që më 21 janar të jemi bashkë për t’i dhënë fund kësaj kusarie. Ju presim. Do të jemi bashkë”, është shprehur Nikolla.

Top Channel