
Çmimi i naftës dhe i benzinës në tregun tonë po vërtitet rreth 162 lekë për litër dhe tendenca shkon drejt një rritjeje akoma edhe më të madhe.
Të dhënat e fundit nga bursa dhe analizat e tregjeve japin një parashikim për një çmim që do të arrijë shumë shpejt afër 100 dollarë për fuçi, kur sot tregtohet për 92 dollarë, ndërsa brenda vitit mund të prekë rekordin e 110 dollarëve.
Gjithsesi, për të kuptuar më qartë se çfarë po ndodh në tregun tonë të karburanteve dhe si pritet të zhvillohet ai në të ardhmen, gazeta “Shqip”, duke iu referuar edhe portalit “karburant.al”, rendit disa faktorë që kanë bërë të mundur arritjen e çmimeve aktuale në treg.
Të dhënat paraprake, nisur nga tregjet e huaja dhe disa faktorë të brendshëm, bëjnë të mundur arritjen e një çmimi rekord të 200 lekëve për litër në rast se ecet me këto rimte.
Dihet që tregu jonë varet tërësisht nga importet, aq më tepër në këtë periudhë kur prodhimi vendas nuk ka mundur të dalë në treg për shkak të bllokimit të rafinerisë ARMO, e cila e zbuste presionin që vinte nga jashtë me një normë prej të paktën 30 për qind.
Kur sot nuk kemi as prodhim vendas dhe kur çdo litër naftë dhe benzinë vjen nga jashtë e blerë me dollar të shtrenjtuar, referuar bursës që vetëm rritet, japin me të parën arsyen kryesore të rritjes së çmimeve.
Duke i renditur faktorët, i pari në listë qëndron bursa dhe çmimet e saj, të rritura me të paktën 25 për qind në tre muajt e fundit.
Faktori i dytë është kursi i këmbimit. Të paktën, nga analizat zyrtare, thuhet se monedha jonë lek ka pësuar një zhvlerësim ndaj dollarit amerikan me rreth 6 për qind në muajt e fundit, ose e shprehur ndryshe, dollari kushton 6 për qind më shtrenjtë. Kjo valutë përdoret për këmbimin e karburanteve në tregjet kryesore, ecuria e të cilës ndikon te çmimi i “arit të zi”.
Sikurse u përmend më sipër, një tjetër arsye që ka bërë të mundur rritjen galopante të çmimeve është prodhimi vendas. Mungesa e rafinerisë që bën të mundur përpunimin e naftës bruto të nxjerrë nga “Albpetrol” ka bllokuar shitjen në treg të këtij produkti, i cili në një farë mënyrë shërbente si amortizator ndaj presioneve nga jashtë. Prodhimi vendas siguronte rreth 25 për qind të kërkesës së brendshme, ndërsa sot, të gjitha nevojat përballen nga importi.
Një tjetër ndikim te çmimi, sipas ekspertëve të “karburant.al”, përmendim udhëzimin e “famshëm” të Ministrisë së Financave, me nr. 17/3, i vitit 2008, i cili nuk i jep mundësinë pikës së karburantit që të ndryshojë çmimin e faturuar nga shoqëria e shitjes me shumicë.
Pra, edhe në rast se çmimi me shumicë i naftës mund të ulet, tregtari i pakicës nuk mund të bëjë të njëjtën veprim në rast se shet të gjithë sasinë e fundit të naftës të faturuar nga tregtari i shumicës (me çmimin e mëparshëm që ishte më i lartë). Për këtë udhëzim, Autoriteti i Konkurrencës është shprehur kundër dhe i kërkon ministrisë shfuqizimin e tij.
Për sa i përket abuzimit të mundshëm nga tregtarët, është shumë vështirë që të vërtetohet, sepse Shqipëria ka një përqindje të lartë të pikave të bardha (pra, pika karburanti që nuk kanë një kontratë ekskluzive furnizimi me një nga shoqëritë e tregtimit me shumicë). Kjo bën të mundur që “harmonizimi” i çmimeve të jetë shumë i vështirë, në mos i pamundur, shprehen ekspertët e pavarur.
Top Channel