Jintao: Të drejtat e njeriut, shumë për të bërë

19/01/2011 20:50

Presidenti kinez, Hu Jintao, pranoi për herë të parë se vendi i tij ka ende shumë për të bërë për përmirësimin e të drejtave të njeriut, në konferencën e përbashkët për shtyp me presidentin Obama, e cila po mbahet gjatë këtyre minutave.

I pyetur për respektimin e të drejtave të njeriut në vendin e tij, Jintao u përgjigj: “Kemi bërë një progres shumë të madh, të njohur ndërkombëtarisht, por mbetet ende shumë për t’u bërë në këtë drejtim”.

Obama e cilësoi rritjen “paqësore” të Kinës si diçka të mirë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa theksoi se të dy vendet kanë si objektiv nxjerrjen e milionave personave në botë nga varfëria.

Të dy udhëheqësat theksuan se vendet e tyre do të jenë më të begatë nëse do të punojnë së bashku. Më parë gjatë ditës u firmosën edhe disa kontrata tregtare me vlerë 45 miliardë dollarë.

Top Channel