Makinat e përdorura, dështon vjelja e taksës

18/01/2011 08:40

Taksa e re për importin e makinave të përdorura nuk duket se ka dhënë efektin e duhur për arkën e shtetit.

Të dhënat nga Ministria e Financave për 11-mujorin e vitit të kaluar tregojnë se të ardhurat nga taksa për shitjen e makinave të përdorura brenda vendit ka treguar një nivel të dobët, madje me rënie 7 për qind, krahasuar me vitin 2009.

Ministria ka publikuar një raport përmbledhës mbi situatën ekonomiko-financiare të vendit, ku bëhen të ditura me detaje të ardhurat dhe shpenzimet.

Mes shifrave mësohet se taksa e importit të makinave, e cila pësoi ndryshim me rritje, nuk ka sjellë të ardhura sa duhet për buxhetin, madje është pakësuar.

Por ministria nuk e konsideron dështim mosrealizimin e planit nga kjo taksë, duke e lidhur me faktin se detyrimi i lartë për të paguar kur shitet makina e përdorur ka shtyrë individët drejt mjeteve të reja, mbi të cilat nuk aplikohet tarifë.

Konkretisht, taksa mbi transaksionet e makinave të përdorura regjistron një nivel realizimi, si 11-mujor për 2010-n, në masën e 2 miliardë e 400 milionë lekëve, nga 2 miliardë e 600 milionë të realizuar për të njëjtën periudhë në vitin 2009. Pra, sipas Financës, kjo taksë solli rreth 200 milionë lekë më pak të ardhura, ose minus 7.2 për qind.

Top Channel