Wikileaks, të dhëna bankare për 2 000 emra

17/01/2011 15:05

Një ish-punonjës i një Banke Zvicerane i ka kaluar të dhëna rreth lëvizjeve financiare të 2 000 njerëzve të njohur themeluesit të Wikileaks, Julian Assange, lajmëroi gjatë mesditës BBC.

Të dhënat, të cilat nuk janë ende të disponueshme në faqet e internetit të Wikileaks, mbahen në dy disqe dhe u dorëzuan në një konferencë për shtyp në Londër prej bankierit të quajtur Rudolf Elmer.

Assange premtoi se do të publikojë të dhënat sapo t’i ketë kontrolluar. Bankieri, i cili i ka dhënë të dhëna Wikileaks edhe më parë, u largua nga puna në vitin 2002.

Llogaritë përfshijnë ato të 40 politikanëve dhe shumë llogarive sekrete që njerëz të rëndësishëm kanë hapur. Çështja mund të ngjallë një spirale polemikash, pasi besohet se shumë prej 2 000 emrave do ta kenë të vështirë të shpjegojnë prejardhjen e parave të fshehta.

Top Channel