Suksesi i HEC-eve… në prokurori

17/01/2011 15:25

4 vjet më parë, kur shpallte prioritetin për ta shndërruar energjetikën në sektorin lokomotivë të ekonomisë, qeveria, të paktën formalisht, premtonte të tjera rezultate nga ato që ky proces ka prodhuar deri më tani.

Në pesë vitet e mandatit të saj qeveria ka dhënë 90 kontrata koncesionare, në të cilat parashikohej ndërtimi i mbi 220 hidrocentraleve të vogla dhe të mesme.

Por më shumë se kilovat/orë energji ky process deri tani ka prodhuar dosje pafund hetimore. Koncesionet e HEC-eve janë shndërruar në një nga aktivitetet më të përfolura për korrupsion.

Zyrtarisht, prokuroria po heton disa dosje njëherësh për shkelje të ligjit me lejet e koncesioneve, të cilat implikojnë kryesisht ish-ministrin Genc Ruli, por edhe zyrtarë të tjerë të lartë.

Ajo e pellgut ujëmbledhës të Bëncës është më e fundit. Por në publik opozita ka denoncuar të tjerë tendera hidrocentralesh, ku janë favorizuar, ministra, deputetë apo biznese të lidhura me ta.

Ky proces, që tashmë duket i njollosur, ngjan gjithmonë e më shumë me një aksion të dështuar, të paktën këtë tregojnë faktet.

Sipas afateve ligjore, deri tani nga 220 hidrocentrale të dhëna duhet të ishin ndërtuar të paktën të paktën gjysma e tyre. Por deri tani, sipas të dhënave zyrtare të vetë Ministrisë së Ekonomisë, janë ndërtuar vetëm 6.

Top Channel