Meta: Montazhet mafioze do demontohen

17/01/2011 15:35

Kryetari i LSI, Ilir Meta ka hedhur sërish akuza ndaj lidershipit socialist, që sipas tij po përpiqet të marrë pushtetin me metoda kriminale.

Në një prononcim për mediat, Meta ka përdorur tone të ashpra edhe ndaj ish-vartësit të tij, Dritan Prifti, që publikoi videon e aferave.

“Edi Rama, tashmë kryetari i sektit të spiunëve të Shqipërisë, kjo fundërrinë e pashembullt morale e shoqërisë shqiptare, ky njeri që mohoi atësinë e të birit në gjyq, ky njeri që akuzoi babain e tij si babain e dajlit të tij, ky njeri i pander, i pafamilje, pa asnjë normë shoqërore dhe morale, synoi të bënte një puc përmes një përgjimi kriminal, të paligjshëm dhe të pashembullt, duke përdorur si dëshmitar një fundërrinë të paparë, që e kishte akuzuar Edi Ramën si një njeri që e kishte parë duke marrë kokainë në zyrën e kryetarit të bashkisë”, ka deklaruar Meta.

Ai është shprehur i bindur se “montazhi” i Edi Ramës do të dështojë. “U konfirmoj qytetarëve se montazhi i fëlliqur, se titrat e vendosura nga Edi Rama, se e gjithë kjo veprimtari kriminale do të demontohet në mënyrë spektakolare nga drejtësia”, ka pohuar Meta.

Duke njoftuar ngritjen e një grupi ekspertësh që do të hetojnë cështjen, Meta ka theksuar se pushteti “mafioz” i Ramës do të marrë fund në zgjedhjet e ardhshme lokale.

“Kam ngritur një grup juristësh që do të nisin punën dhe shqiptarët do të shohin se njeriu që do të vijë në pushtet përmes dhunës është një montazhues i fëlliqur, i marrë peng nga mafia dhe krimi, që në 8 maj do marrë verdiktin nga qytetarët si një fundërrinë morale dhe politike. Më 8 maj do të pastrohet qyteti i Tiranës nga një monstër”, ka shtuar Meta.

Top Channel