Dështimi me koncesionet, humbje dhe dëme

17/01/2011 15:45

Dështimi i procesit të shumëlavdëruar nga vetë qeveria për ndërtimin e një rrjeti të gjerë hidrocentralesh relativisht të vegjël, që do të ishin një burim i mirë energjie dhe garancie për mospërsëritjen e krizës energjitike, ka pas tij edhe faturën e dëmit.

Së pari, sipas raportit të Ministrisë së Energjitikës, nëse koncesionet do të kishin zbatuar afatet, prodhimi i energjisë në vend duhet të ishte rritur tani minimalisht me 1.3 miliardë kilovat/orë në vit, që me cmimet e tregut do të thotë rreth 70 milionë euro prodhim në vit.

Së dyti, nga mungesa e kësaj energjie, buxheti i shtetit humbet mbi 20 milionë euro të ardhura, shumë kjo e barabartë gati me shpërblimin e fundvitit të pensionistëve.

Por kosto nuk janë vetëm para të munguara. Ndërtimi i këtyre HEC-eve duhet të kishte hapur mijëra vende të reja pune në një ekonomi që vuan nga papunësia e lartë.

Prodhimi i munguar i energjisë mund të ishte një burim më shumë për eksport. Por të gjitha këto, edhe tani pas pesë vjetësh, mbeten vetëm objektiva sepse rezultati i prodhuar është ai i dosjeve në zyrat e prokurorisë.

Top Channel