Berluskoni: Sulmet, të pabazuara

17/01/2011 09:25

Pas skandalit “Rubygate”, kryeministri italian Berlusconi ka reaguar, duke u shprehur nëpërmjet një videomesazhi të transmetuar në edicionet e lajmeve të kanaleve televizive “Mediaset”.

“Është absurde vetëm ta mendosh, që unë kam paguar për të pasur marrëdhënie me një grua. Është diçka që do ta konsideroja si degraduase për dinjitetin tim. Qëkur jam ndarë, kam patur raporte të qendrueshme me një person, por nuk do të kisha dashur ta thoja kurrë, pasi nuk kam dashur ta ekspozoj në media atë”, ka thënë ai.

“Nuk është një vend i lirë, kur disa gjykatës drejtojnë beteja politike kundra njerëzve që kanë funksione publike. Prokurorëve nuk u ka pëlqyer votbesimi”, ka vazhduar kreu i ekzekutivit italian.

Silvio Berlusconi ndjehet i persekutuar dhe sipas tij, duhen bërë menjëherë reforma, mes tyre, ajo në sistemin e drejtësisë.

Në lidhje me marrëdhënien e tij të re, kryeministri italian ka shtuar, se personi që frekuenton ka qenë shumë shpesh me të.

Madje prezente edhe në darkat ku ai akuzohet nga disa media, se ftonte vajza kundrejt pagesës, gjë që njeriu me të cilin ka një raport, sipas Z. Berlusconi, sigurisht që nuk do ta kishte lejuar.

Kreu i opozitës Bersani ka reaguar duke e quajtur si një sulm agresiv e të turpshëm ndaj prokurorëve reagimin e kryeministrit italian.

Silvio Berluskoni është vënë sërish përballë drejtësisë pak ditë më parë, i hetuar këtë herë për lidhjet e tij me 17 vjeçaren marokene Ruby, kercimtare e një klubi nate.

Ai dyshohet se ka abuzuar me pushtetin pasi përdori influencën e tij për të nxjerrë marokenen adoleshente, të ndaluar për vjedhje, nga qelitë e paraburgimit.

Por disa nga raportet e shfaqura në shtypin vendas, lënë të kuptohet se hetimet do të përqendrohen edhe tek akuzat e prostitucionit minoren.

Avokatët mbrojtës të kavaljerit i hodhën poshtë me forcë këto pretendime si absurde e të pabazuara.

Top Channel