Berisha: PS, zëdhënëse e mafias në Kuvend

17/01/2011 19:45

Para se të niste me akuzat ndaj jetës private të kryetarit të PS, kryeministri Berisha bëri një përmbledhje të sesionit të kaluar parlamentar.

“Mbyllem një vit ku me reforma të thella e të gjithanshme, ia dolëm t’u japim shqiptarëve dinjitetin evropian, dinjitetin e lëvizjes së lirë. Ju të nderuar deputetë keni punuar me një përkushtim të madh. Keni votuar ligje themelore dhe që pak vende i kanë, sic është ligji i diskriminimit, ai i aseteve të krimit, etj. Meritë e madhe është se kjo qeveri punoi për një interes jetik të cdo qytetari shqiptar, si atyre që paguhen në shtet, si të atyre që punojnë në privat”, ka deklaruar Berisha, i cili më pas është hedhur në sulm ndaj opozitës, të cilën e ka akuzuar se është përpjekur në mënyrë të turpshme të pengojë liberalizimin e vizave.

“Ndërkohë që kampi i bllokmenëve zbatoi platformën më cnjerëzore e anti-kombëtare, më të turpshme. Bëri gjithcka për të penguar këtë proces. Bojkote Parlamenti, kutira, greva e orgjira, miliona euro e të gjitha me radhë. Më pas, gjeti një racist si Dick Marty dhe e bënë të cirrej në Parlamentin Evropian. Filloi një valle, vallen e kutive, vizat në kuti. Por vizat u realizuan, atyre që u përpoqën t’i pengonin u takon vetëm turpi i përjetshëm”, ka pohuar Berisha.

Sipas kryeministrit, opozita e udhëhequr nga Edi Rama ka rënë pre e shantazheve të krimit të organizuar, i cili e mban peng atë dhe e përdor si përfaqësuesen e saj në institucione.

“Mafia përdor pushtetin e opozitës për t’u mbrojtur, përdor kryeqytetin për leje ndërtimi, që i shet me 100 mijë euro, përdor zëdhënësat politikë që janë këtu në Parlament dhe që cirren”, ka theksuar Berisha.

Por, sipas tij, pavarësisht këtyre përpjekjeve, opozita dështoi pasi gjatë vitit 2010 u realizuan reformat më të rëndësishme, që afruan vendin me Evropën.

“Por viti që u mbyll ishte shumë i begatë, sepse në bëmë reformat e integrimit. Shqipëria në tërësi ka përmbushur detyrime të rëndësishme”, ka shtuar Berisha.

Top Channel