Ristani: Zgjedhjet e 8 majit nuk do prishen

16/01/2011 16:30

I ftuar në “E Diell” në Top Channel, kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, zoti Arben Ristani, foli për punën e tij në krye të këtij institucioni, për problematikën e kontestimin që shkaktuan zgjedhjet e fundit parlamentare në vend si dhe për zgjedhjet për pushtetin vendor të 8 majit.

Lidhur me djegien e fletëve të votimit, ai tha se ka zbatuar Kodin Zgjedhor të miratuar me konsensus mes vetë partive politike në Shqipëri.

“Jam përpjekur në mënyrë të vazhdueshme që të jem i barazlarguar nga partitë politike dhe e vetmja mënyrë është respekti ndaj ligjit dhe zbatimi strikt i tij. Interpretimi im i nenit për djegien e fletëve në Kodit Zgjedhor, është ligjor e që nuk lë vend për të qenë interpretim ndryshe. Partitë bënë Kodin Zgjedhor dhe në fund të dhjetorit të 2008-s e miratuan me konsensus, ku vunë edhe një nen në fund ku pas zgjedhjeve arkivohen materialet dhe fletët do të digjen. Mua më caktuan zbatimin e këtij kodi”, tha Ristani.

Më tej kreu i KQZ-së tha se e gjithë buja e për djegien e fletëve ka ardhur nga politika, pasi e njëjta praktike, shtoi ai, është zbatuar edhe me fletët në zgjedhjet e shkuara. Ristani shpjegoi edhe qendrimin e tij përsa i përket mandatit të nënkryetares, Subashi në KQZ.

“Kodi Zgjedhor ka një nen që thotë se mandati i anatërave të KQZ-së, përfshirë postin nënkryetarit dhe kryetarin përfundon me moshën e pensionit. Mosha e pensionit është 60, dhe duke qenë se Subashi mbush 60 vjec unë thjesht kam informuar Kuvendin dhe përsa i përket zgjidhjes që do t’i japë ky institucion këtij problemi unë jam krejtësisht indiferent”, shtoi kryetari i KQZ-së.

Ristani vlerësoi se ishte i aftë të realizonte zgjedhjet më të mira në vend, e kjo në bazë të raportit të OSBE-ODHIR, ku sipas tij thuhet se KQZ ka qenë profesional në punën e tij.

Duke folur për elementët e sigurisë që përbëjnë procesin zgjedhor në Shqipëri, Ristani tha se ato janë të tepruara, që nga fletët e votimit, që sipas tij, përsa i përket elementëve të sigurisë mund të krahasohen me një kartmonedhë, e deri tek kutitë e fletëve të votimit. Të gjitha këto elementë tha ai, nuk vërehen në vendet e tjera dhe në vendin tonë janë më shumë për shkak të paranojës së forcave politike.

Më tej Ristani foli për procesin e ardhshëm zgjedhor. Atë të zgjedhjeve për pushtetin vendor që do të mbahet më 8 maj. Ai u shpreh i bindur se forcat politike nuk do ta prishin procesin zgjedhor, pasi sipas tij kjo do të ishte një vetëvrasje politike.

“Nuk besoj që beteja do të jetë vetëm për Tiranën. E shoh si një betejë të përgjithëshme. Partitë do të luftojnë për të gjithë territorin. Tirana ka rëndësi pasi është kryeqyteti. Besoj që zgjedhjet nuk do të prishen pasi për mendimin tim do të ishte vetëvrasje për të gjitha forcat politike. Pavarësisht se luftojnë me njëra-tjetrën besoj se e duan vendin. Besoj se do të përpiqen të bëjnë zgjedhje të mira e ne do të përpiqemi të zbatojmë rregullat tona”, mbylli fjalën e tij, Arben Ristani.

Top Channel