Ki Moon: Situata në Siri, e papranueshme

16/01/2011 17:45

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon e ka vlerësuar si “të papranueshme” situatën në Siri dhe ka shprehur dëshirën e tij që Këshilli i Sigurimit të veprojë në mënyrë sa më serioze për të ndalur dhunën.

“Situata ka arritur në një pikë të papranueshme. Shpresoj që Këshilli i Sigurimit ta trajtojë krizën në Siri në mënyrë serioze”, ka deklaruar Ki Moon në një konferencë për shtyp në Abu Dhabi, ku po mbahet një samit për energjinë.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka dështuar në miratimin e një rezolute për Sirinë për shkak të kundërshtimit të Rusisë, që paralajmëroi me vendosjen e vetos.

Moska është gjithashtu kundër një ndërhyrjeje ushtarake ndërkombëtare në Siri, ndryshe nga sa ndodhi me Libinë kundër regjimit të Muammar Gaddafi-t.

Në favor të dërgimit të trupave u shpreh ditën e shtunë emiri i Katarit, sheiku Hamad bin Khalifa Al Thani, i cili deklaroi për kanalin informativ amerikan CBS se, “disa trupa duhet të dërgohen për të ndalur vrasjet”.

Është thirrja e parë që një lider arab ka bërë publikisht për ndërhyrje ushtarake në Siri, ku sipas OKB, mbi 5 mijë civilë janë vrarë që nga nisja e protestave në mars të vitit të kaluar.

Katari ishte vendi i parë arab që iu bashkua operacioneve të NATO-s në Libi, që cuan në rrëzimin e kolonelit Muammar Gaddafi.

Situata në Siri vazhdon të jetë e tensionuar dhe përditë regjistrohen viktima gjatë protestave popullore kundër regjimit të presidentit Bashar al Assad, i cili akuzon për një komplot të sajuar nga fuqitë e huaja.

Siria, por edhe Irani, ishin temat kryesore për të cilat biseduan presidenti amerikan Barack Obama dhe kryeministri turk Taip Erdogan, gjatë një bisede telefonike të zhvilluar të premten.

Top Channel