20 vjet nga Lufta e Parë e Gjirit

16/01/2011 21:50

20 vite më parë nisi Lufta e Parë e Gjirit, apo “Nëna e të gjitha betejave” sic do ta quante vetë diktatori Saddam Hussein.

Rreth orës tre të mëngjesit të 17 janarit të vitit 1991, filloi operacioni “Desert Storm” kundër Irakut, që në 2 gusht të ’90-s kishte pushtuar Kuvajtin.

Vetëm në pak minuta, task force e quajtur “Normandy”, do të godiste instalimet e radios se mbrojtjes ajrore irakiane, për t’i dhënë mundësinë bombarduesve të koalicionit, që të hynin në Bagdad në rrugë të sigurt.

Lufta u ndërmor fillimisht nga Amerika dhe Britania e Madhe, me qëllimin për të parandaluar synimin e përvetësimit që Hussein kishte mbi puset e naftës së Kuvajtit dhe Arabisë Saudite. Luftë që u mbështet nga 34 vende, pas përpjekjeve të kota për të nxitur diktatorin që të tërhiqej nga Kuvajt. Ai u mposht në 45 ditë, por asokohe u la në pushtet edhe pas armëpushimit.

Ky ishte konflikti i parë që u anuncua në lidhje direkte televizive në të gjithë botën. Pamjet tregonin bombardimin dramatik të Bagdatit dhe të të gjithë Irakut, ku u hodhen 88.500 tonelata bombash.

Sulmi tokësor vendimtar që do të clironte Kuvajtin, u bë më 23 shkurt nga forcat aleate me në krye marinsat dhe ushtrinë e Kombeve të Bashkuara. Tre ditë më pas, Saddam Hussein u tërhoq nga Kuvajti.

Më 28 shkurt presidenti George Bush dhe aleatët deklaruan ndalimin e zjarrit. Më 3 mars, liderët e Irakut pranuan kushtet që i jepnin fund konfliktit. U mbyll kështu Lufta e Parë e Gjirit.

Por vite më pas, në 20 mars të 2003-t SHBA, kësaj radhe me president të birin e Bush Senior, Geoge W Bush dhe Britania e Madhe nisën sërish bombardimet mbi Irakun e Saddamit, kësaj radhe të akuzuar për mbajtje të armëve të shkatërrimit në masë.

Top Channel