Indi, vdesin 102 pelegrinë hinduistë

15/01/2011 08:50

Të paktën 102 pelegrinë humbën jetën mëngjesin e sotëm, të shtypur apo të asfiksuar, gjatë një festivali fetar në shtetin jugor të Indisë, Kerala, lajmëruan mediat ndërkombëtare.

Të paktën 44 persona të tjerë janë plagosur dhe janë dërguar në spital, pas ngjarjes që duket se pati në zanafillë një aksident rrugor. Pelegrinët po ktheheshin nga zona e shenjtë hindu e Sabarimalës, e cila ndodhet në një zonë të largët dhe të pyllëzuar malore.

”Kemi rikuperuar 102 trupa të pajetë. Puna e shpëtuesve është thuajse e përfunduar”, deklaroi numri një i policisë së zonës, ndërsa guvernatori i Keralës e cilësoi këtë ditë si “thellësisht të trishtë” për kombin indian.

Kjo ishte dita e fundit e festivalit dy-mujor, që tërheq çdo vit me miliona turistë në zonë. Autoritetet bëjnë me dije se është ende e paqartë se si u shkaktua tragjedia, por Agjensia e Lajmeve Indiane (PTI) thotë se një xhip me pelegrinë hyri me shpejtësi në mes një turme me njerëz, duke shkaktuar panik mes tyre.

Të ndodhur në një hapësirë të ngushtë, shumë persona u shtypën dhe asfiksuan, ndërsa të tjerët vrapuan t’i shpëtonin xhipit. Një ngjarje e ngjashme ndodhi edhe në vitin 1999, kur nga shtypja në të njëjtin festival humbën jetën 50 persona.

Top Channel