Dy dekada më parë vendet e Ballkanit u ndanë përfundimisht nga sistemi i ekonomive të çentralizuara, i cili për gati 50 vjet kishte prodhuar varfëri dhe skamje masive në gjithë rajonin.
Me shpresën për një të ardhme më të mirë ekonomike, Ballkani ju drejtua ekonomisë së tregut dhe hapjes ndaj botës.
Por sot që kanë kaluar më shumë se 20 vjet nga ajo kohë, bilanci tregon se disa vende e kanë bërë këtë më mirë se të tjerët.
Një grafik i bazuar në të dhënat zyrtare të Bankës Botërore tregon se me sa është rritur pasuria reale e qytetarëve të Ballkanit që nga viti 1994.
Shifrat janë të zhveshura nga efekti i ndryshimit të çmimeve mes vendeve, çka do të thotë se ato tregojnë fuqinë e vertetë blerëse të qytetarëve.
Siç duket nga grafiku në 15 vitet e fundit, janë sllovenët atë që janë pasuruar më shumë, të ardhurat vjetore të të cilëve krahasuar me vitin 1994 janë rritur me mbi 15 mijë e 200 dollarë.
Në vendin e dytë kroatët të cilët e kanë shtuar pasurinë e tyre në 15 vitet e fundit me 12405 dollarë.
Grafiku tregon se disa vende po pasurohen më shpejt, ndërsa disa të tjera më ngadalë.
Dhe sipas shifrave të Bankës Botërore, shqiptarët janë ata që gjatë kësaj periudhe janë pasuruar më ngadalë se gjithë fqinjët e tyre.
Sot Shqipëria, edhe pse ishte vendi i vetëm në rajon, që nuk hyri zyrtarisht në reçesion nga kriza e madhe e dy viteve të fundit, vendi me të ardhurat më të ulëta, veç Kosovës së varfër, e cila shpalli pavarësinë vetëm dy vjet më parë dhe nuk është përfshirë në këtë listim të Bankës Botërore.
Edhe pse Shqipëria ka patur rritjen ekonomike më të lartë në rajon gjatë këtyre 15 viteve, paradoksalisht fuqia blerëse e shqiptarëve është rritur më ngadalë se ajo e fqinjëve të tyre dhe shpjegimi qëndron tek rritja e çmimeve e cila gërryen të ardhurat.
Top Channel