Rama: Më 21 janar, protestë për dinjitetin

14/01/2011 11:45

Kryetari i PS, Edi Rama në fjalimin e tij në asamblenë kombëtare të partisë ka hedhur akuza të ashpra ndaj kryeministrit Berisha dhe zëvendësit të tij Ilir Meta, pas videos së plotë të shfaqur në emisionin “Top Story”.

Rama ka deklaruar se qeveria po bënë gjënë më të turpshme ndaj popullit shqiptar, duke u përpjekur ta bindë atë që ato që pa e dëgjoi nuk janë të vërteta.

“Mbrëmë Shqipëria e tërë e pa se s’ka montazh, se s’ka gjë tjetër vec matrapazllëkut të qeverisë së këtij vendi, të kapur rob nga votat e vjedhura. U pa mbrëmë në pak minuta një tallje e madhe me hallet dhe shpresat e të gjithë shqiptarëve, nga ai që u quajt koalicioni i integrimit. U pa se cfarë mban të bashkuar kusarin e votave të 28 qershorit dhe matrapazin e votave të opozitës”, ka deklaruar Rama.

Ai i ka bërë thirrje Berishës dhe Metës që pas këtij skandali të japin dorëheqjen, ndryshe sipas tij ata i pret ndëshkimi nga populli shqiptar që është tallur gjatë gjithë kësaj kohe.

“Këtë qeveri e mban në këmbë vetëm kryenecësia e paturpësisë. Berisha dhe zëvendësi i tij duhet të dorëhiqen, ndryshe vendit i lind e drejta ta largojë shtetin me mjete që Kushtetuta dhe historia ia lejon vetëm popullit”, ka pohuar Rama.

“Pasi e kanë vjedhur, gënjyer dhe tallur, Saliu dhe zëvendësi i pandashëm kërkojnë t’i bëjnë këtij populli një poshtërsi. Duan ta budallepsin, duan ta bindin se atë që pa nuk e pa dhe atë që dëgjoi nuk e dëgjoi. Thjesht, duan ta kthejnë popullin shqiptar në një qorr e në një shurdh, duke e vënë para si një tufë delesh. Ata duan ta bëjnë këtë vend një shëmbëlltyrë mizerabël të një vendi të ish-republikës sovietike, në një Evropë që e ka lënë jashtë Shqipërinë”, ka vijuar ai.

Lideri i opozitës ka shtuar më tej se dorëheqja e kësaj qeverie dhe mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme janë zgjidhja e vetme e krizës ku ka hyrë vendi për shkak të vjedhjes së votave nga Berisha dhe Meta.

“Cdo ditë që vonojnë dorëheqjen dhe pranimin e zgjedhjeve të reja, si zgjidhja më e mirë për nxjerrjen e vendit nga kriza, aq më shumë ata rëndojnë pozitat e këtij populli. Ne ua kërkojmë dorëheqjen jo për t’u ulur në karriken e tyre, por për t’u sjellë shqiptarëve lirinë e konkurrencës në politikë përmes zgjedhjeve të reja”, ka shtuar Rama.

Ai ka përsëritur se djegia e fletëve të votimit nuk do ta mbyllë betejën e opozitës për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit.

“Transparenca e keqqeverisjes nuk mbyllet duke djegur fletët dhe vulosur materialet zgjedhore. Nuk mbyllet as nga kthimi i Parlamentit në surrogato dhe as nuk ndalet duke ndërsyer cdo ditë kundër opozitës”, ka shtuar Rama, duke ftuar qytetarët që më 21 janar të dalin në një protestë masive.

“Më 21 janar të bashkohet cdo qytetar që ndjehet i tallur dhe i mëpërkëmbur. Kjo nuk është demonstrata e PS ndaj qeverisë, është momenti që të bashkohen qytetarët që kanë të njëjtat ëndrra e shpresa. Më 21 janar të ngrihemi në këmbë për dinjitet, ftojmë të gjithë të bashkohen pa flamur dhe pa asnjë paragjykim”, është shprehur Rama. 

Top Channel