Obama prezanton planin për reduktimin e deficitit

14/01/2011 23:15

Presidenti Barak Obama i dërgoi Kongresit propozimin për buxhetin federal të vitit 2012, ku parashikohen shkurtime deficiti prej 1,1 trilion dollarë brenda 10 vjetëve, në një kohë kur republikanët kërkojnë shkurtime më të mëdha.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë tha se Shtetet e Bashkuara duhet ta rrudhin disi dorën, e për këtë lipsen reduktime, por e ardhmja e vendit nuk mund të sakrifikohet me shkurtime drastike. Propozimi i tij do ta ulë në 50 % deficitin buxhetor deri në fund të mandatit të Obames më 2013.

Por republikanët vazhdojnë të këmbëngulin që shpenzimet buxhetore të zvogëlohen deri në nivelin e 2008-ës, para se Obama të zgjidhej në Shtëpinë e Bardhë. Ata pretendojnë shkurtime më të thella në fusha si mbrojtja e mjedisit, kërkimet mjekësore dhe ruajtja e kufirit të vendit.

Republikanët kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve ndërsa demokratët e kanë në dorë frerët e Senatit, cka pritet të shkaktojë një betejë të ashpër partiake rreth shpenzimeve buxhetore.

Top Channel