Profesionet e lira me TVSH

13/01/2011 17:00

Qeveria ka miratuar një ligj që i detyron të gjitha profesionet e lira të paguajnë tatim mbi vlerën e shtuar, pavarësisht xhiros që ata kryejnë në biznesin e tyre.

Vendimi i fundit i qeverisë prek një masë të madhe individësh të cilët kryejnë aktivitet privat në fusha të ndryshme, që nga avokatët, mjekët, farmacistët apo dhe ekspertët fiskalë.

Tashmë të gjithë këta individë që kryejnë veprimtarinë private në këto profesione do të paguajnë në shtet 20 për qind tatim mbi vlerën e shtuar për cdo të ardhur që ata fitojnë.

Kjo është ndërhyrja e disatë e qeverisë në taksat e profesioneve të lira. Gati një vit më parë, qeveria këtë kategori biznesi e detyroi të futej në skemën e tatimit mbi vlerën e shtuar, por deri më tani vendimi prekte subjektet me xhiro mbi 2 milionë lekë në vit.

Me ndryshimin e fundit, të gjitha profesionet e lira do të paguajnë TVSH, pavarësisht xhiros së tyre vjetore e cila mund të jetë edhe vetëm 10 mijë lekë.

Top Channel