Prifti: Meta e Ruli ministrat e korruptuar

13/01/2011 22:40

Në vijim të fjalës së tij në Top Story në Top Channel, deputeti dhe ish-Ministri i Energjitikës, Dritan Prifti shprehu gatishmërinë për të hequr dorë nga imuniteti në cdo rast nëse kjo kërkesë vjen nga organet e drejtësisë.

Zoti Prifti tha se qendrimi i tij i “butë” në video është mbajtur për të mos krijuar dyshime tek Ilir Meta që po përgjohej e për të lënë atë të fliste lirshëm. Ai tha se nuk ka zbatuar kërkesat e Metës në video, e vec kësaj asnjë kërkesë të mëparëshme të tij.

“Imunitetin e lë në cdo sekondë që do ta kërkojë cdo organ ligjor në Shqipëri. Qendrimi i butë në video qendron sepse unë doja që zoti Meta të fliste, nuk doja që ai të dyshonte që unë isha duke e regjistruar. E vërteta është se asnjë nga kërkesat e tij të jashtëligjshme unë nuk i kam zbatuar, jo vetëm këto që janë regjistruar po asnjë nga kërkesat e tij”, tha Prifti.

Më tej Prifti komentoi fjalën e Metës në konferencën  për shtyp të mbajtur ditën e mërkurë. Prifti e quajti gjithë deklaratën e tij një sajesë dhe se 7 përqindëshi i ishte ofruar atij, ndërsa Meta kishte 20 përqind, të vendosur nën emrin e një personi të tretë.

“Zoti Meta mund të sajojë cdo lloj justifikimi. 7 përqindëshi apo 700 mijë euro më ofronte mua, se sa ishte pjesa e tij nuk e di. Ai kishte 20 përqind dhe e kishte vënë në emrin e Fatmir Merkaj, më duket se ka qenë edhe shoferi i Metës. Akuza është se Meta më ka bërë mua presion e oferta të paligjsme për t’ia dhënë vëllezërve Tolaj. Në prokurori kam deponuar për cfarë është shfaqur në Fiks Fare. Natyrisht unë jam i hapur për hetimet e mëtejshme”, shtoi më tej deputeti Prifti.

Dritan Prifti shtoi se kryeministri Berisha është përmendur në video vetëm për të treguar se ishte marrë miratimi i tij për një emërim dhe tha se Ilir Meta dhe Genc Ruli janë dy ministrat e korruptuar në qeveri, ndërsa për emra të tjerë është rezervuar duke mos dashur të abuzojë.

“Ilir Meta dhe Genc Ruli janë të korruptuar, për të tjerët nuk dua të abuzoj”, tha Prifti.

Top Channel