“Mjaft”: Të largohet Meta

13/01/2011 14:00

Aktivistët e lëvizjes “Mjaft” protestuan para godinës së Ministrisë së Ekonomisë dhe kërkuan dorëheqjen e Ilir Metës.

“Është një moment vendimtar që tregon se kjo politikë e di se për kë punon. Meta të japë dorëheqjen për të treguar se politika ka një moral të shëndoshë”, deklaroi një aktivist i “Mjaft”.

Në protestë ishin të pranishëm edhe analistët më të njohur të shtypit shqiptar, të cilët kërkuan gjithashtu largimin e numrit dy të qeverisë.

“Në lojë është jo vetëm drejtësia, të cilën e kanë kapur, por edhe morali i këtij shtetit. Nëse një qytetar përkufizohet i pafajshëm nga gjykata pasi nuk ka prova për të kundërtën, një ministër është i fajshëm moralisht”, tha analisti Andrea Stefani.

“I bëj thirrje opozitës shqiptare, që nëse ka fuqinë morale për të mobilizuar njerëzit, duhet ta bëjë urgjentisht. Nëse nuk e bën, për mua as ajo nuk ka fuqi morale dhe brenda saj duhet kërkuar një lidership i ri”, u shpreh pas tij Mustafa Nano.

I pranishëm ishte edhe gazetari Mero Baze, i cili hodhi akuza edhe mbi familjen biologjike të kryeministrit Berisha, që dikur ishte aleat i tij.

“Kemi parë se c’bën Meta për dy minuta, po të shohim edhe se cfarë bën Shkëlzeni me Argitën do të shohim që ky shtet drejtohet nga kriminelët”, tha Baze.

Pas kësaj proteste një grup ka shkuar edhe para selisë së LSI-së, ku turma është përplasur me truprojet e saj dhe disa persona janë shoqëruar në polici.

Top Channel