Britani, penalizim deputetit për fondet

13/01/2011 20:55

Një tjetër deputet britanik pritet të dënohet nga gjykata, pasi në mënyrë të jashtëligjëshme përfitoi 14 mijë stërlina nga fondi i shpenzimeve që kanë deputetët.

Eric Illsley, i cili është deputet, ka pranuar akuzat për shpërdorim të fondeve publike duke deklaruar se përpara seancës së ardhëshme ku do t’i lexohet masa e dënimit ai do të largohet nga Parlamenti, duke e cuar zonën e tij elektorale në zgjedhje të parakohëshme.

Përpara pranimit të akuzave në gjykatë, deputeti Eric Illsley tha se ai i kërkonte falje votuesve të tij, familjes dhe miqve për turpin e shkaktuar nga ky veprim, për të cilin ndjente keqardhje.

“Kam nisur të paketoj materialet e zyrës time në Parlament, pasi kam vendosur ta dorëzoj mandatin e deputetit përpara përaqitjes së ardhëshme në gjykatë”, deklaroi ai.

Illsley që prej vitit 1987 është zgjedhur deputet në disa legjislatura nga partia Laburiste, e cila e përjashtoi nga radhët e saj që në momentin kur prokuroria ngriti akuzat.

Ishte lideri i Laburistëve, Ed Milliband ai i cili kërkoi largimin nga Parlamenti të ish-kolegut të tij.

Javën e shkuar një tjetër deputet britanik u dënua me 18 muaj burg për të njëjtat akuza. David Caytor ka nisur ta vuajë këtë dënim në burgun Wansworth, pasi pranoi akuzat për përfitimin në mënyrë ilegjitime të 13.500 stërlinave.

Tre nga katër deputetët e tjerë të akuzuar për abuzim me fondet që janë nga partia Laburiste kanë dhënë dorëheqjen nga politika.

Dy deputetë të tjerë, Jim Devine dhe Elliot Morley do të gjykohen gjatë muajve në vazhdim pasi prokuroria ka mbyllur hetimet.

Skandali i abuzimeve me shpenzimet nga deputetët britanikë u zbulua vitin e kaluar përmes një sërë investigimesh të publikuara nga gazetarët e së përditëshmes “Daily Telegraph”.

Top Channel