Bastet, kush fiton tatohet me 10%

13/01/2011 08:35

Edhe bastet konsiderohen në një farë mënyrë një aktivitet fitimprurës për shumë individë që janë me fat në lojëra. Për këtë arsye, Financat me udhëzimin e ri, fusin një detyrim që duhet të paguajnë fituesit e basteve.

“Në rastet e të ardhurave të realizuara nga pjesëmarrjet në lojërat e fatit, si bastet, bingot, bastet online, lotari etj, tatimi në burim llogaritet dhe mbahet nga organizatori i lojës mbi shumën bruto të fituar”, thuhet në udhëzim.

Shuma bruto, mbi të cilin llogaritet tatimi mbi burim është diferenca midis fitimit të lojtarit me shumën e paguar për biletën, ose diferenca midis fitimit të lojtarit me shumën e vënë në bast.

Për rastet kur të ardhurat krijohen nga kazinotë, individi lojtar duhet të bëjë një vetëdeklarim pranë organizatorit të lojës së fatit mbi shumën e luajtur në kazino.

Bazuar mbi këtë shumë të luajtur, organizatori llogarit tatimin në burim si diferencë midis shumës së fituar dhe shumës së luajtur.

Lidhur me sendet e fituara në lotari, si p.sh makina, vlera e tyre do llogaritet sipas tregut.

 

Top Channel