Berisha: 2010, viti i reformave

28/12/2010 18:50

Kryeministri Berisha e ka cilësuar 2010-n, si vitin e reformave të thella. Duke folur në një konferencë për shtyp, kreu i qeverisë ka theksuar se heqja e vizave për shqiptarët është arritur falë këtyre reformave.

“Viti 2010 është viti i reformave të thella. Heqja e vizave për ne ishte më e vështirë se për çdo komb tjetër pasi ishim i vetmi vend i panjohur dhe i izoluar, ku ekzekutoheshin të rinj dhe të reja edhe pasi ishtë hequr dënimi me vdekje, ku krimi dhe mafia u bën subjekt i librave dhe qindra e qindra artikujve. Ishte e pamundur se në tetë vite në pushtet paraardhësit tanë nuk lëshuan dot një çertifikatë elektronike dhe një pasaportë biometrike”, është shprehur Berisha.

Ai akuzoi opozitën se është përpjekur që të pengojë proçesin e liberalizimit të vizave.

“Ishte e vështirë sepse opozita u angazhua me të gjithë potencialin e saj politik për të bllokuar dhe shkelmuar një interes që ishte jetik për lirinë dhe dinjitetin e qytetarëve shqiptarë. E gjithë beteja absurde e njëjtë me zhvillimin e veprave të Freanc Kafkës kishte vetëm një qëllim, të bllokoheshin vizat, pasi nëse vizat do jepeshin, do realizohej premtimi më i madh personal i Sali Berishës dhe do ishte katastrofë për opozitën. Për të bllokuar vizat, nuk u njohën zgjedhjet, u bojkotua parlamenti dhe u bë greva e urisë pikërisht në muajin kur KE do të merrte vendim për heqjen e vizave”, tha Berisha.

Ai theksoi se mazhoranca i ka krijuar të gjitha kushtet opozitës për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit në përputhje me ligjet e vendit.

“Opozitës i janë ofruar të gjitha shanset dhe mundësitë. Por javën e fundit ajo kaloi haptas në dogmën e Franc Kafkës. S’ka asnjë paburrëri më të madhe sesa të zëvendësosh fjalën hetim me kontroll, por askush nuk mund të hetohet pa fakte. Ky është rregulli themelor. Duke i ofruar opozitës të gjithë hapësirat, kemi vendosur të zbatojmë ligjin, shtetin ligjor dhe Kushtetutën e këtij vendi”, tha Berisha.

Top Channel