Xhafa: Konsensusi dështoi, PD përgjegjëse

27/12/2010 19:10

Deputeti socialist Fatmir Xhafa ka shprehur keqardhjen e opozitës për dështimin në arritjen e një konsensusi me PD për ngritjen e komisionit hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit.

Duke folur në seancën parlamentare që u hap para pak castesh, Xhafa ka kritikuar mazhorancën se ka hedhur poshtë jo vetëm ofertat e PS, por edhe sugjerimet e faktorit ndërkombëtar.

“Nuk është arritur konsensus. Jemi të keqardhur që nuk patëm një zgjidhje konsensuale në mbyllje të këtij sesioni, të asaj që është quajtur kriza parlamentare në vend. Gjetja e një zgjidhjeje do të ishte e dobishme për mazhorancën dhe kryeministrin Berisha në vecanti. Do të ishte një reflektim ndaj mesazheve të vazhdueshme të partnerëve ndërkombëtare dhe për imazhin e vendit”, ka deklaruar Xhafa.

Sipas tij, nga ana e saj PS ka pasur një qëndrim konstruktiv, pasi jo vetëm ka qenë nismëtare për zgjidhjen e krizës, por ka bërë edhe lëshime.

“PS ka pasur një qëndrim konstruktiv. PS ka qenë iniciuese e ndryshimeve për ngritjen e komisionit, iniciative që është rrëzuar. Ne hoqëm dorë nga fletët e votimit jo sepse mendojmë ndryshe, por për arsyen sepse ishte një cështje për të cilën palët kishin qëndrime diametralisht të kundërta”, ka pohuar Xhafa, i cili ka akuzuar lidershipin e PD se është tërhequr nga premtimet që ka bërë më parë.

“Është e pafalshme dhe e papranueshme mohimi i qëndrimeve të mëparshme publike”, ka theksuar Xhafa. Ai ka shtuar më tej se propozimet e PS ishin mëse të pranueshme, duke nënvizuar se projekti i saj reflektonte edhe rezolutën e PE.

“Ka dy elementë, ngritja e komisionit në mënyrë të menjëhershme, ku shumicën dhe drejtimin ta kishte opozita dhe vënia në dispozicion të materialeve zgjedhore. Dhe përfundimet e këtij komisioni të ishin bazë për ndryshimet e ardhshme. Ky projekt reflekton më së miri atë mbi cfarë është dialoguar”, ka deklaruar Xhafa.

Deputeti socialist ka bërë përgjegjës për këto refuzime kryeministrin Sali Berisha, i cili sipas tij vendos në mënyrë absolute për vendimet që duhet të marrë mazhoranca.

Top Channel