Topalli: Policia, masa kundër aksidenteve

27/12/2010 17:40

Shefi i policisë rrugore, Vullnet Topalli ka reaguar pas aksidenteve të shumta të ndodhura gjatë fundjavës, duke deklaruar se ato nuk janë përgjegjësi e policisë.

Në një konferencë për shtyp, Topalli është shprehur se nga ana e saj, policia rrugore ka marrë masat, duke rritur praninë e saj dhe kontrollet në akset kryesore të vendit.

“Policia ka marrë masa në këto ditë festash. Është rritur prania policore në akset rrugore dhe janë ushtruar kontrolle për respektimin e kodit rrugor. Gjatë vitit 2010 aksidentet janë reduktuar me 19.3%”, ka deklaruar Topalli.

Këtë fundjavë rrugët e vendit njohën një nga përgjakjet më të mëdha, pasi vetëm ditën e diel u regjistruan 8 viktima në aksidente rrugore.

Duket se shteti shqiptar e ka humbur betejën për vendosjen e rregullave në qarkullimin rrugor dhe në uljen e aksidenteve, që vijnë edhe nga mungesa e disiplinës së drejtuesve të automjeteve.

Top Channel