Parlament, sot seanca e fundit

27/12/2010 10:00

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka thirrur sot pasdite seancën plenare, të lënë përgjysmë mëngjesin e së premtes, me qëllim vazhdimin e negociatave për arritjen e një marrëveshjeje për mënyrën e hetimit të zgjedhjeve të kaluara.

Gjatë këtyre tre ditëve, disa përpjekje janë bërë mes negociatorëve, por deri tani nuk është arritur asnjë marrëveshje.

Mësohet se palët kanë diskutuar tre variante, por që të tre kanë ngecur vetëm në një pikë; përfshirjen në projektvendimin e Parlamentit të pikës së kërkuar nga demokratët, për hetimin e zgjedhjeve duke respektuar Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor.

Nëse kjo ndodh, së pari komisioni hetimor parlamentar do t’i marrë materialet zgjedhore në Arkivën e Shtetit dhe jo në KQZ, sic kërkon Partia Socialiste. Dhe e dyta, nëse kjo ndodh djegia e fletëve të votimit nga KQZ është e pashmangshme.

Socialistët kanë deklaruar se kanë hequr dorë nga kërkesa për hetimin e fletëve të votimit, por ata thonë se komisioni duhet të zbatojë këtë pikë të Kodit Zgjedhor, pasi Parlamenti të mbarojë hetimin.

Këto qëndrime ende të kundërta mes palëve, duket se me afrimin e orës 17, kur nis seanca, po shuajnë edhe ato pak shpresa për të bërë një kompromis dhe për të arritur brenda këtij viti pajtimin e politikës shqiptare.

Top Channel