Favorizimet, “Ruli” shkon në prokurori

27/12/2010 15:15

Cështja Ruli përfundon në dyert e drejtësisë. Socialistët kanë depozituar në prokurori dosjen me shkeljet e ish-ministrit të Ekonomisë, përmes të cilave sipas opozitës, ai ka favorizuar me një vendim personal dhe duke anashkaluar Parlamentin, kompaninë minerare “ACR” në Bulqizë.

“Ne gjykojmë se pandëshkueshmëria do të kthehet nga shqetësim serioz në rutinë nëse nuk ndëshkohet as ky rast i pakontestueshëm arrogance i pushtetit të Saliut, që vodhi votat për të vjedhur Shqipërinë duke varfëruar përditë shqiptarët. Nëse drejtësia nuk do të funksionojë as për këtë ministër, të zhytur deri në fyt në llumin e korrupsionit të këtij pushteti, që arrin të ndalojë me firmën e vet edhe vendimet e Kuvendit, atëherë jo vetëm drejtësi po as shpresë tek drejtësia s’mund të ketë më për askënd”, ka deklaruar deputeti socialist Sajmir Tahiri.

Sipas socialistëve, rasti Ruli është një tjetër tregues i mënyrës antiligjore me të cilën funksionon qeveria aktuale e drejtuar nga kryeministri Berisha.

Top Channel